Lunxhëri, mungojnë subvencionet për fermerët

29/11/2013 00:00

Fshati Nokovë i vendosur në faqen e malit të Lunxhërisë është në masën
60% i shpërngulur në emigracion. 400 banorë të këtij fshati jetojnë  në
Greqi prej dy dekadash.

Të moshuarit thonë se ka pak motive për më të rinjtë që të kthehen sepse mungon puna dhe shanset për të jetuar. Disa dhjetëra fermerë të vegjël në të gjithë Lunxhërinë i sigurojnë të ardhurat e tyre vjetore vetëm prej shitjes së perimeve në qytet. I gjithë prodhimi vjen prej bahçeve të tyre që vazhdojnë t’i punojnë me krahë ndërsa vetëm 30 % e tokës bujqësore është aktualisht e kultivuar.

Fermerët më së shumti të moshuar për shkak të emigracionit traditcional të kësaj zone thonë se kultivimi i perimeve që lidhet me traditën shumëvjecare të Lunxhërisë po bëhët gjithnjë e më i vështirë në kushtet e mungesës së subvencioneve, farërave, mekanikës dhe tregjeve.

Dikur në këtë zonë ferma bujqësore kultivonte më shumë se 20 kultura që furnizonin tregjet e zonës për shkak të tokës pjellore dhe shkallës së mekanizimit ndërsa sot fermerët vështirësohen për të siguruar jetesën e përditshme. Gati 100% e tokës që rrethon banesat e fshatrave punohet me bel por edhe për këtë sipërfaqe të vogël që siguron të ardhurat për të jetuar banorët thonë se mungon ujitja dhe këshillimi teknik. Të paktën gjatë 3-4 viteve të fundit fermerët pretendojnë se po përballen edhe me situatën e farërave të dëmtuara apo preparateve jo cilësore.

Top Channel