Gati paketa e re fiskale

27/11/2013 00:00

Ministria e Financave ka përgatitur draftin paraprak të paketës fiskale,
i cili pritet të sjellë ndryshime të forta në sistemin e taksave që
paguajnë qytetarët dhe biznesi. Top Channel ka mësuar se varianti
fillestar prek nivelet për rreth 15 lloje taksash, që përfshijnë si
taksat direkte mbi biznesin dhe individët ashtu edhe ato indirekte që
taksojnë konsumin.

Ndryshimi i parë është ai i tatimit mbi të ardhurat personale, që rikthen parimin progresiv të taksimit mbi pagat por edhe burimet e tjera të të ardhurave të individëve. Sipas variantit, pritet që qeveria të paraqesë një sistem me katër shkallë, i cili mban të pandryshuar fashën e mbrojtur për pagat deri në 30 mijë lekë dhe më pas  rritet në mënyrë progresive.

Ministria e Financave ende nuk i ka bërë publike normat përkatëse se si ndryshon taksa sipas pagave, pasi e gjithë paketa duhet të marrë më parë miratimin e Fondit Monetar.

Por nga llogaritjet paraprake, zbatimi i taksës progresive pritet të ulë të ardhurat ne buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale me rreth 8 miliardë lekë nga niveli që mblidhet aktualisht. Por rënia kompensohet nga rritja e taksave të tjera. Taksa e shkallëzuar nuk do të zbatohet vetëm mbi të ardhurat vetjake, por edhe mbi fitimin e biznesit. Qeveria ka vendosur që tatimi mbi fitimin të jetë me dy shkallë, ku bizneset me xhiro nën tetë milionë lekë në vit do të paguajnë një normë dy herë më të ulët se sa bizneset mbi këtë kufi.

Edhe pse nuk është ende zyrtare, varianti i pritshëm është që nga 1 janari i vitit të ardhshëm tatimi mbi fitimin të jetë 7.5 ose 8 për qind për bizneset me xhiro nën tetë milionë lekë dhe 15 ose 16 për qind për ndërmarrjet që realizojnë një xhiro më të lartë se kaq. Kjo është pjesa e taksave drejtpërdrejta. Paketa e re ndryshon edhe taksat indirekte, që paguhen nga qytetarët në cmimin final të mallrave. Së pari pritet që të ketë rritje për akcizën e cigareve, kafesë dhe madje në diskutim është edhe rritja e akcizës së karburantit, e cila ka qenë ndër cështjet më të debatuara në hartimin e paketës.

Normat e rritjes nuk bëhen publike. Por vec akcizës, një opsion është edhe rishikimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, përkatësisht rritja e saj me 1 pikë përqindje për mallrat e zakonshëm, ndonëse për disa nga artikujt bazë të konsumit të gjerë kjo taksë pritet të ulet deri në dy herë. E gjithë paketa ka marrë formën përfundimtare nga Ministria e Financave, por do të shpallet në publik vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pritet që tashmë të ketë një rol më shumë se sugjerues në politikat financiare dhe ekonomike të qeverisë shqiptare.      

Biznesi, listë me kërkesa Qeverisë

Pak ditë para se Qeveria të miratojë paketën e re fiskale, biznesi bën publike propozimet e tij për taksat. Luan Bregasi i “Biznes Albania” listoi disa prej kërkesave kryesore që sipërmarrësit kanë ndaj Qeverisë.

“Të reduktojë shërbimet hoteliere dhe turistike për vlerën e TVSH-së në masën 10 për qind, të përjashtohen nga taksat subjektet akomoduese në destinacionet turistike malore, detyrimet tatimore për firmat e ndërtimit të llogariten, si dhe për aktivitet e tjera ekonomike, në bazë të rregullave kontabile në fuqi, pra të eliminohet i ashtuquajturi çmimet e referencës në ndërtim. Së dyti, në fushën e ndërtimit investimet për punët publike të prezantohen dhe tenderohen pasi Qeveria të ketë siguruar financimet e plota”, tha Bregasi.

Për sektorin e veshjeve, sipërmarrësit kërkojnë heqjen e gjobave në masën 500 mijë lekë për punonjësit e pasiguruar dhe heqjen e TVSH-së në doganë. Ndërsa për karburantet kërkesat janë dy.

“Heqja e akcizës për lëndët djegëse që përdoren në prodhim, anulimi i konsecionit të ngjyrosjes së karburantit, pasi kjo rrit koston për prodhuesit vendas dhe përdor lëndët djegëse dhe më pas bie në kurriz të konsumatorit”, tha Bregasi.

“Biznes Albania” ka përsëritur kërkesën për uljen me dhjetë herë të çmimit për pullat fiskale dhe atë që heq parapagimin e akcizës. Por lista e propozimeve prek edhe procedurat e administrimit të taksave.

“Pagesa me këste të tatimeve dhe të taksave, heqja e pagesës prej 50 për qind të vlerës së detyrimit përpara apelimit në tatime, t’i krijohet mundësia biznesit për t’u ankimuar në Komisionin e Apelimit pa paguar gjobat, siç ka ndodhur deri tani, rimbursimi automatik i TVSH-së nga vetë subjekti me të gjitha llojet e taksave dhe së fundi barazimi i TVSH-së në blerje dhe në shitje për produktet bujqësore. ‘Biznes Albania’ propozon që mundësisht kjo TVSH duhet të jetë në nivelin 10 për qind”, tha Bregasi.

Kjo është hera e parë që biznesi del me propozime konkrete ndaj Qeverisë për paketën e re fiskale, e cila pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në fushën e taksave dhe procedurave të tyre.

Top Channel