Ukraina: Nuk jemi fushëbetejë për BE-Rusi

26/11/2013 00:00

Deputetët ukrainas shprehën këtë të martë shqetësimin se vendi i tyre është duke u shndërruar në një “sheshbetejë” midis Bashkimit Europian dhe Rusisë, ndërsa protestat vazhdojnë pas refuzimit prej Kievit të një marrëveshje të tregëtisë së lirë me vendet anëtare.

Sipas opozitës, refuzimi i asaj marrëveshje fitimprurëse ekonomike, shoqëruar me kushtin e lirimit nga burgu të ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, tregon se qeveria e tanishme i është përkushtuar një kursi pro-rus.

Akuzave të protestuesve, kryeministri Mykola Azarov iu përgjigj duke theksuar se asnjë marrëveshje nuk është arritur me Rusinë dhe se gjithashtu nuk është negociuar një paketë e mundshme ndihme prej Moskës.

I irrituar nga pyetjet e gazetarëve të huaj, Azarov shtoi: “Rusia nuk na ofron garanci. Bashkimi Europian gjithashtu… Atëherë çfarë është Ukraina? Një sheshbeteje?!”.

Ndërkohë, protestat në rrugët e Kievit vazhdojnë.

Policia mbetet në gatishmëri të plotë, ndërsa mijëra manifestues po i japin jetë protestave më të mëdha që prej atyre të Revolucionit të Portokallinjtë të vitit 2004, pavarësisht se termometri ka rënë në mënyrë konstante nën zero gradë.

Tensionet nga shtyrja e MSA-së
Kryeministri i Ukrainës: Vendimi pas kërkesës së Rusisë

Kryeministri ukrainas, Mikola Azarov, pranoi se Moska i kishte kërkuar Kievit të shtynte nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Ai tha se Rusia kishte kërkuar të zhvilloheshin bisedime tripalëshe për çështjen, pa dhënë asnjë ultimatum.

“Nga ana tjetër, jemi të mërzitur me qëndrimin e Federatës Ruse, që kishte si qëllim të mos lejonte Ukrainën t’i afrohej Bashkimit Europian”, tha kryeministri Mikola Azarov.

Duke folur përpara gazetarëve, Azarov shpjegoi se Rusia kishte sugjeruar bisedime mes Kievit, Moskës dhe Brukselit. Ai tha se presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, do të marrë pjesë në samitin e BE-së, që do të zhvillohet në Vilnius të Lituanisë, për të diskutuar mbi konsultimet e mundshme me Brukselin dhe Moskën.

“Ne, në asnjë mënyrë nuk kërkojmë të jemi fushë-beteja mes Bashkimit Europian dhe Rusisë. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira, si me Bashkimin Europian, ashtu dhe Rusinë”, tha Azarov.

Fillimisht u planifikua që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të nënshkruhej në samitin e 28-29 Nëntorit. Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, që ndodhet në Itali, tha se i takon Ukrainës për të nënshkruar ose jo paktin me Bashkimin Europian.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së të shmangin fjalët e mprehta. Vendimi i Kievit, për të pezulluar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe atë të tregtisë së lirë me BE-në, u bë shkak i protestave masive në Kiev dhe qytete të tjera, por edhe i akuzave të Brukselit, që akuzoi Moskën për presion ndaj Ukrainës.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB