Drejtuesi kryesor i Frontit Kombëtar Sirian, organizatës së mbështetur nga perëndimi që drejton grupin kryesor të kryengritësve sirianë deklaroi se luftëtarët në terren nuk do të ndërpresin luftimet gjatë konferencës së paqes në Gjenevë, në Janar 2014.
Gjenerali Salim Idris, kryetari i Këshillit të Lartë Ushtarak të FKS-së deklaroi për “Al-Jazeera” se përpjekjet për rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assad do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë.
Ai theksoi se në këtë vendim ka ndikuar edhe frika e kryengritësve se bisedimet mund të përdoren prej Assadit për të blerë kohë për të forcuar pozicionet e ushtrisë së rregullt në pikat nevralgjike të frontit.
Irani, aleati më i ngushtë i qeverisë siriane, deklaroi gjithashtu gjatë ditës se do të ishte i interesuar që të merrte pjesë në bisedimet e paqes nëse do të ftohej.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarifi deklaroi se vendi i tij është i gatshëm që të japë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit.
Megjithatë, Zarifi theksoi se Teherani nuk do të pranojë që bisedimet të nisin me kushtezime të çfarë do natyre.
Top Channel