Papa paralajmëron reformimin e Vatikanit

26/11/2013 15:15

Papa Françesku, në një letër drejtuar krerëve të Kishës Katolike paralajmëroi një reformim të brendshëm, ndërsa i kërkoi atyre sugjerime të hapura për mënyrën se si mund të ndryshojë ushtrimi i pushtetit në Vatikan.

Në këtë dokument apostolik, ndërsa Papa shfryn indinjatën e tij për adhurimin ndaj parasë, kërkon një reformë për të ndryshuar rolin misionar të kishës dhe rolin e priftërinjve në ditët e sotme.

Sipas tij, pushteti i kishës nuk duhet të jetë i përqendruar në Vatikan, por të zgjerohet në disa qëndra njëkohësisht.

Përsa i përket raportit me besimet e tjera, Ati i Shenjtë i Vatikanit i kërkon të krishterëve që të “përqafojnë me afeksion dhe respekt emigrantët muslimanë të vëndeve të tjera, me të njëjtën mënyrë siç të krishterët do të donin të priteshin nëse do të ishin ata në rolin e kundërt”.

Ndonëse sipas ekspertëve ky dokument sinjalizon fillimin e një reforme thelbësore në Vatikan, çështja e priftëresha femrave përjashtohet kategorikisht nga trajtimi.

Një debat afatgjatë, ai i përfshirjes së femrave në rolet drejtuese kishtare, gjen kundërshtinë e Papës, i cili i referohet disa pasazheve direkte të Ungjillit që kufizojnë këtë privilegj vetëm për meshkujt.

Papa Françesku, në fund të dokumentit paralajmëron se pabarazia shoqërore që po përjeton sot planeti është duke frymëzuar trazira kudo nëpër botë, ndaj i kërkoi përfaqësuesve të besimit të krishterë që të përgatiten për të qenë në parajojë për çdo eventualitet që mund të regjistrohet në të ardhmen.

Që prej trashëgimit të pushtetit papnor nga Benedikti XVI në muajin Mars, Papa Françesku është duke drejtuar Vatikanin me një stil tërësisht të ndryshëm nga paraardhësit e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA