Kina ka reaguar ndaj Shteteve të Bashkuara duke u kërkuar këtyre të fundit të mos “fusin hundët” në mosmarrëveshjen territoriale me Japoninë, për zonën e diskutuar në Detin e Kinës Lindore, pasi Washington-i kishte paralajmëruar se një pretendim ushtarak nga Pekini për hapësirën ajrore në rajon, rrit rrezikun e “keqkuptimeve dhe keqllogaritjeve”.
Krijimi i një “Zone Identifikimi e Mbrojtjes Ajrore” nga Kina, vjen pas rritjes së tensioneve mes Pekinit dhe Tokios mbi kërkesat e njëjta të të dy palëve mbi ishujt e shumëdiskutueshëm në det, që besohen se gjenden pranë rezervave të mëdha të burimeve natyrore.
Njoftimi i kësaj zone nga Kina, gjatë së shtunës, që u përshkrua prej vendit komunist si një sistem fillim-paralajmërimi për vetëmbrojtje, nxiti reagimin dhe dhënien e një përgjigjeje të shpejtë nga Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt ushtarak me Japoninë.
Washington-i paralajmëroi se lëvizja e fundit e kinezëve ofron rrezikun për përllogaritje potencialisht të rrezikshme në rajonin sensitiv, ku anijet kineze e ato japoneze, por edhe aeroplanët, janë përfshirë gjithnjë në përballje tensionuese.
“Ky veprim i njëanshëm konstituon një përpjekje për të ndryshuar ‘status-quo’-në në Detin e Kinës Lindore. Veprimet e përshkallëzuara vetëm sa do të rrisin tensionet në rajon dhe do të krijojnë rreziqet për një incident”, tha John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit.
“Kemi nxitur Kinën të tregojë kujdes dhe vetëpërmbajtje, ndërkohë që po konsultohemi me Japoninë dhe palët e treta të prekura nga ky zhvillim, në rajon”, tha Kerry. Shtetet e Bashkuara kanë mijëra trupa ushtarakë të stacionuara në Japoni, si pjesë e një traktati sigurie mes dy vendeve aleate.
Top Channel