Një ekip izraelit, i drejtuar nga këshilltari për sigurinë kombëtare Yossi Cohen, do të udhëtojë në Uashington, për të biseduar mbi marrëveshjen e fuqive të mëdha me Iranin. Për kryeministrin izraelit, çfarë u arrit në Gjenevë të Zvicrës ishte një gabim historik.
“Ky pakt duhet të sjellë një rezultat të vetëm – tha Benjamin Netanjahu, – çarmatimin e Iranit nga arsenali bërthamor ushtarak”.
Te dielën, presidenti amerikan, Barak Obama, i tha Netanjahut – gjatë një bisede telefonike – se SHBA-të e kuptojnë që Izraeli ka arsyet e tij të mira për të qenë skeptik për qëllimet e Iranit, si dhe premtoi se do të konsultohet ngushtësisht më të. Kryeministri izraelit paralajmëroi:
“Ne nuk do të lejojmë një regjim, që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, për të siguruar mjetet që do të çojnë te qëllimi i tij përfundimtar”.
Arabia Saudite, rivali i Iranit në rajon, kujdesshëm mirëpriti paktin e arritur. Ministri i Jashtëm francez, Lorën Fabius, tha se disa prej sanksioneve të Bashkimit Europian, të vendosura ndaj Iranit, mund të hiqen muajin e ardhshëm.
Deklarata e tij erdhi pasi një grup i madh njerëzish, të mbledhur në Teheran, përshëndetën negociatorët, të cilët pranuan reduktimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Marrëveshja gjashtë-mujore e arritur në Gjenevë, mes Iranit, Shteteve te Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, solli uljen e çmimit të naftës në tregjet botërore.
Top Channel