Arrestime në Universitetin e Elbasanit

26/11/2013 00:00

Në një operacion të koduar me emrin “Premtimi”, sektori kundër krimit ekonomiko-financiar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, në orët e para të mëngjesit të sotëm, datë 26 nëntor 2013, ka bërë të mundur arrestimin në flagrance të shtetasve: Eljan Hoxha, 43 vjeç, kancelar në Universitetin “Aleksander Xhuvani” Elbasan dhe Filip Qosja, 49 vjeç, drejtor i Drejtorisë Ekonomike në këtë Universitet.

Policia gjithashtu ka nisur hetimin per shtetasit Liman Varoshi, 55 vjeç, me detyrë rektor i Universitetit, “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe Fatma Spahiu, drejtoreshë e zyrës juridike në këtë universitet.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se rektori i Universistetit, Liman Varoshi, në bashkëpunim me kancelarin e këtij Universiteti, shtetasin Eljan Hoxha, kishin favorizuar vjehrrën e kancelarit, duke i dhënë për të shfrytëzuar me qira një hapësirë brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti.

Kontrata e lidhur ishte hartuar në favor të vjehrrës së kancelarit, shtetases Luljeta Xhuhani.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasja Luljeta Xhuhani kishte rreth 7 vjet që e ushtronte këtë aktivitet në mjediset e këtij fakulteti, për lokal “Bar-Kafe”.

Po kështu, u ushtrua kontroll nëmjediset e lokalit, nga ku u konstatua se shtetasja Luljeta Xhuhani bënte tregëti në kundërshtim me ligjin, duke fshehur të ardhurat, duke mospajisur klientët me kuponin tatimor si dhe duke mos regjistruar punonjësit të cilët punonin si kamarierë.

Top Channel