SHBA, stuhia kërcënon Thanksgiving

25/11/2013 00:00

Një stuhi e ashpër është konsideruar si shkaku i disa dhjetëra vdekjeve në Shtetet e Bashkuara dhe tani kërcënon të pengojë udhëtimet e amerikanëve për Ditën e Falenderimit.

Stuhija e akullt filloi në shtetet perëndimore dhe ka shkaktuar të paktën 10 aksidente rrugore me pasojë vdekjen. Gjithashtu, qindra fluturime në Teksas janë anuluar për shkak të breshërit, që pritet të spostohet në lindje gjatë kësaj jave.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon shira të dendura, të cilat mund të vonojnë udhëtimet e parashikuara për Thanksgiving, që i bie ditën e enjte.

Aksidente me pasojë vdekjen, të shkaktuara nga moti i keq, janë raportuar në shtetet Oklahoma, Teksas, Nju Meksiko dhe Kaliforni.

Tre anëtarë të një grupi muzikor mbetën të plagosur në teksas teksa udhëtonin me autobusin e tyre gjatë ditës së shtunë.

Oklahoma përjetoi reshje dëbore që arritën në 25.4 centimetër, ndërkohë që paralajmërime janë bërë edhe për Arkansasin, pasi sistemi meteorologjik lëvizi për në lindje të vendit.

Parashikuesit e motit deklarojnë se erëra të forta dhe ngrica pritet të përfshijnë një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara nga e marta deri të enjten, që do të jenë dhe ditët e fluksit të udhëtimeve.

Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, mbi 43 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë të paktën 80 kilometra për ditën e festës, ndërsa tre milionë të tjerë do të përdorin avionët.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta