Barbara: Gjithçka për “Champions”

25/11/2013 00:00

Barbara Berlusconi karikon skuadrën dhe u kërkon përqendrim maksimal për të kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve.

Vajza e presidentit Berlusconi në një takim me kapitenin kuqezi, Riccardo Montolivo premtoi vëmendjen e drejtuesve të klubit për ndërtimin e Milanit të së ardhmes, ku shumë emra aktualë mund të mos e gjejnë më veten.

“Jepni gjithcka për kalimin e turnit në Ligën e Kampioneve”, ishin fjalët e saj. Milani do të luajë të martën në transfertën e vështirë në Glasgou përballë Sëlltikut vendas. Kalimi i turnit shihet si thelbësor për kuqezinjtë, jo vetëm nga ana sportive, por edhe nga ajo ekonomike.

Por nëse në Ligën e Kampioneve situata duket më e favorshme, në Serinë A Milani ndodhet ‘vite dritë’ larg objektivit që është vendi i tretë, që do t’i garantonte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.

Aktualisht kuqezinjtë ndodhen në kuotën e 14 pikëve në vendin e 13 dhe në katër takimet e fundit të Serisë A kanë marrë një humbje dhe tre barazime, i fundit ndaj Xhenoas në San Siro, rezultat që shkaktoi edhe zemërimin e tifozëve që për orë me radhë bllokuan lojtarët në stadium.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB