Ukrainë, përplasje protestues-polici

24/11/2013 18:10

Dhjetra mijëra protestues pro-Bashkimit Europian janë përplasur me policinë gjatë një tubimi masiv në kryeqytetin ukrainas të Kievit.

Demonstruesit, që raportohen të kenë arritur në shifrat e 100 mijë të tillëve, marshuan përmes rrugëve të Kievit gjatë së dielës, duke i kërkuar qeverisë të rikthejë mbrapsht kursin e të nënshkruajë marrëveshjen historike me BE-në.

Gjithsesi, disa prej protestuesve u përpoqën të mësynin godinat qeveritare, ndërkohë që policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe plumba manovre kundër demonstruesve.

Protesta e së dielës ishte më e madhja e mbajtur në vend, që prej Revolucionit paqësor Portokalli të vitit 2004, që përmbysi rezultatin manipulativ të zgjedhjeve presidenciale, duke sjellë një qeveri pro-Perëndimore në krye të shtetit.

Demonstrues, që mbanin flamuj ukrainas dhe të BE-së në duar, thërrisnin në kor “Ukraina është pjesë e Europës” dhe këndonin himnin kombëtar, teksa marshonin drejt sheshit të Pavarësisë.

Protesta udhëhiqej nga figura qendrore të opozitës ukrainase, të cilët kanë bërë thirrje që tubimet të vazhdojnë, deri sa presidenti Viktor Yanukovych të pranojë të nënshkruajë marrëveshjen për tregti të lirë dhe bashkimin politik me BE-në, në samitin e së premtes.

Mbështetësi pro-europian, Anton Vashkevich, tha se protestuesit duan që qeveria dhe Presidenti të mos përfaqësojnë opinionin e të gjithë vendit.

“Ajo që mendojnë ata, nuk shpreh opinionet e shumicës së popullsisë”, tha Vashkevich. “Nuk ka asnjë alternativë tjetër, veç Bashkimit Europian”.

Liderët ukrainas shpallën papritur gjatë javës së kaluar se do të tërhiqeshin nga një marrëveshje me BE-në, për shkak se, siç thanë ata, vendi nuk mund të përballojë thyerjet tregtare me Rusinë.

Qeveria ruse ka punuar agresivisht për të prishur marrëveshjen Ukrainë-BE, si dhe afrimin e ish-vendit sovietik në Bashkimin Doganor të dominuar nga Moska.

Një nga kërkesat kyç të BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes ishte lirimi i ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko, burgosja e së cilës shihet nga Perëndimi si e politizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA