Napoli koleksionoi një humbje surprizë në ndeshjen me Parmën, e vlefshme për javën e 13-të të Serisë A, zhvilluar pasditen e së shtunës.
Pretendentët për titull, ndonëse me mendjen të spostuar tek takimi vendimtar i së martës në fushën e Dortmundit, nga ku do të përcaktohet kualifikimi i mundshëm në raundin e dytë të Champions League, sfiduan me formacion të plotë Parmën.
Pavarësisht dëshirës, vendasit nuk u shfaqën asnjëherë konkretë përpara portës, ndërsa një gol nga Cassano, dhjetë minuta përpara përfundimit bëri diferencën.
Ndërkohë, kriza e Milanit nuk ka të mbaruar, me kuqezinjtë që nuk njohin shijen e fitores prej më shumë se një muaji e gjysmë.
Në vendin e 11 për momentin dhe me vetëm tre fitore në 13 javë të zhvilluara, Milani kaloi në avantazh në “San Siro” nëpërmjet Kakasë, por Genoa barazoi brenda disa minutash kur Gilardino transformoi në gol një penallti.
Në pjesën e parë, gjyqtari akordoi edhe një penallti për Milanin, e humbur prej Ballotellit, ndërsa pas intervalit, një lojë e mërzitshme dhe me pak raste karakterizoi minutat deri në përfundim.
Top Channel