Irani pranoi të ndërpresë një pjesë të aktiviteve të programit të tij bërthamor, në këmbim të 7 miliardë dollarëve përfitime të menjëhershme nga lehtësimi i sanksioneve ndërkombëtare.
Marrëveshja, “e pagëzuar” si historike nga palët u realizua pas disa ditësh intensive bisedimesh në Gjenevë midis të dërguarit iranian dhe përfaqësuesve të gjashtë superfuqive, SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani dhe Gjermani.
Presidenti i Shtetete të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e mirëpriti arritjen e kësaj ujdie, e cilas sipas tij “përfshin kufizimet e nevojshme që do të pengojnë Iranin nga avancimi në një program të mundshëm bërthamor për qëllime ushtarake”.
Nën këto kufizime, Teherani mundet ende të përdorë energjinë nukleare për qëllime civile.
Megjithatë, Irani do të lejojë inspektorët ndërkombëtare të realizojnë një monitorim të plotë të të gjithë qëndrave të tij të pasurimit të uraniumit dhe në reaktorët përkatës.
Presidenti Hassan Rouhani, në një fjalim adresuar kombit, përshëndeti marrëveshjen e arritur me komunitetin ndërkombëtar.
Ai theksoi edhe një herë më shumë të drejtën sovrane të Iranit për të përdorur energjinë bërthamore, ndërsa përsëriti se asnjëherë vendi i tij nuk ka synuar të ndërtojë një armë bërthamore.
Top Channel