Marrëveshja Afganistan-SHBA

24/11/2013 17:40

Udhëheqësit fisnorë në Asamblenë e madhe, të njohur si “Loya Jirga”, që zhvillohet prej katër ditësh në Kabul, bënë thirrje që marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të nënshkruhet këtë vit.

Përmes një deklarate, ata i kërkuan presidentit Hamid Karzai ta firmosë “Marrëveshjen Dypalëshe të Sigurisë”, tashmë e miratuar nga Parlamenti afgan. Marrëveshja do t’u lejojë mijëra ushtarëve amerikane të qëndrojnë në Afganistan, pas përfundimit të operacioneve luftarake në vitin 2014.

Presidenti afgan Hamid Karzai, i cili kërkon ta shtyjë paktin, u tha delegatëve se ai do të firmosë, pasi Shtetet e Bashkuara të sjellin paqe në vendin e tij.

“Paqja është kushti ynë me Amerikën. Amerika duhet të sjellë paqe, që ne të pranojmë marrëveshjen dhe ta nënshkruajmë atë”, ka thënë Karzai.

Shtetet e Bashkuara thanë se nuk është as praktike dhe as e mundur të shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes, sipas së cilës të paktën 15 mijë ushtarë të huaj do të qëndrojnë përtej 2014.

Ushtarët që do të qëndrojnë në Afganistan, së pari do të ndihmojnë me trajnimin e forcave afgane. Dy ditët e fundit kanë qenë të ngjeshura me biseda telefonike mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe presidentit afgan, Hamid Karzai.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha: “Ne besojmë se nënshkrimi i marrëveshjes sa më shpejt të jetë e mundur, është thelbësore për t’u dhënë afganëve sigurinë për të ardhmen e tyre, përpara zgjedhjeve të ardhshme, dhe për t’i mundësuar Shteteve të Bashkuara e partnerëve të tjerë të planifikojnë praninë amerikane pas vitit 2014.

Talebanët e cilësuan takimin “një komplot amerikan” dhe u betuan se do të ndjekin dhe ndëshkojnë delegatët “tradhëtarë” të Asamblesë, nëse miratohet marrëveshja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA