
Udhëtimi nga Tirana drejt Durrësit nis duke kaluar në një nga njollat e zeza ku ndodhin më shpesh aksidente. Në vendin tek ish-doganat për shkak të mungesës së një mbikalimi apo nënkalimi, raportimi për kalimtarë të aksidentuar është një lajm i shpeshtë.
Pa kaluar shumë metra, sërish një njollë tjetër problematike për policinë rrugore.
“Sapo lamë pas Mbikalimin e Kthesës së Kamzës. Ndodhemi në një vend që ne në gjuhën teknike të policisë rrugore njihet si njollë e zezë, për arsye se ka shumë aksidente dhe unë si drejtues automjeti, e kam nisur nga rregulli i parë që duhet të bëjë një udhëtar, vendosja e rripit të sigurimit. Gjithë kjo pjesa këtu ka mungesë të sinjalistikës”, thotë Altin Mema, Drejtor i Linjave në Policinë Rrugore.
Ajo që bie menjëherë në sy në hyrje të autostradës është mungesa e tabelave vertikale vezulluese.
“Është burim aksidentesh pasi mungojnë nënkalimet dhe mbikalimet për këmbësorë. Problemi kryesor është mbikalimi, por edhe nënkalimi për këmbësorë”, thotë Mema.
Por edhe në hyrje të Qafë-Kasharit përpos mungesës së tabelave, rreziku shtohet edhe më shumë nga reshjet e shiut. Në këtë njollë, në rrugë grumbullohen pellgje me ujë, cka rrit riskun për aksident, sic edhe i ka ndodhur një bashkëudhëtari.
“Është një njollë e zezë pasi segmenti rrugor mban ujë dhe uji është burim aksidenti, pikërisht në korsinë e shpejtësisë ku automjetet janë me 80-90 km në orë, ndaj kjo zona këtu është burim aksidentesh”, thotë zoti Mema.
Përsona të panjohur kanë shkulur sinjalistikën ndricuese për natën edhe pranë mbikalimit të Gërdecit, që gjithashtu shënohet si një njollë e rrezikshme. Në vijim tabelat sinjalizuese janë të vendosura kuturu apo s’janë fare pranë cdo vendpushimi. Më tej, askush s’është kujtuar të vendosë një tabelë në urën e Fllakës.
“Ka një hyrje nga një rrugë dytësore në rrugën kryesore, por mungon sinjalistika, nuk ka asgjë që të orientojë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në rrugën kryesore, si dhe dytësore është jashtë cdo lloj standardi”, shprehet drejtori Mema.
Përvec sinjalistikës dhe ndërprerjes së aksit nga rrugët dytësore të qendrave të banuara, edhe kthimi konsiderohet nëpër njollat e errëta, ku ndodhin më shpesh devijime nga rruga që sjellin edhe përplasje fatale.
Për cfarë arsyesh ndodhin më shpesh aksidente në këtë aks prej 32 kilometrash gjatësi?
“Shkaktari kryesor është shpejtësia tej normave të lejuara në këtë aks, përdorimi i pijeve alkolike nga drejtuesit e automjeteve, shkak tjetër është mungesa e sinjalistikës vertikale dhe horizontale gjatë gjithë këtij segmenti. Në ditë me shi, ky segment rrugor në shumë zona mbledh ujë, që është një nga burimet kryesore të rrezikut”, thotë zoti Mema.
Viti 2012 shënoi në ausotradën Tiranë-Durrës 36 aksidente, me 11 persona që kanë vdekur menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që 28 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Top Channel