Kontroll gjithë konçesioneve

23/11/2013 00:00

Qeveria do të nisë një kontroll të imtësishëm të të gjitha kontratave koncensionare të dhëna gjatë viteve të fundit nga qeveria paraardhëse.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes njofton se ka sinjalizime nga grupet e interesit se në sektorë të ndryshëm janë dhënë një sërë koncesionesh që cënojnë konkurrencën e lirë dhe që vendosin bizneset përfituese në kushte dominuese ndaj aktorëve të tjerë në treg.

Për këtë arsye, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj i ka kërkuar të gjitha Ministrive që kanë dhënë koncensione, listën e plotë të tyre dhe një analizë të kontratave dhe paketave ligjore e rregullatore që i kanë shoqëruar.

Në letrën e tij, ministri Ahmetaj ka kërkuar gjithashtu identifikimin e praktikave që mund të kenë elemente ekskluziviteti e që kufizojnë konkurrencën në treg. Lista e plotë e koncensioneve me paketat shoqëruese dhe sinjalizimet nga ministritë përkatëse do të jenë objekt i një analize të hollësishme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për të vërtetuar impaktin e klauzolave të ndryshme të kontratave mbi mirëfunksionimin e tregut dhe mbi konkurrencën e lirë.

Nëse do të vërtetohen se kontratat mund të përmbajnë elementë të padrejtë ekskluziviteti, kjo ministri do të paraqesë para qeverisë një paketë masash që duhen marrë për të eliminuar elementet e monopolit dhe për të garantuar konkurrencën e lirë në çdo sektor.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se vendimi për të kontrolluar këto kontrata koncensionare vjen pas depozitimit të kërkesave dhe ankimimeve të disa përfaqësuesve të biznesit mbi praktikat e ndjekura për përfitimin e këtyre kontratave koncensionare.

Top Channel