Kina ka ngritur një zonë “mbrojtjeje ajrore” mbi një pjesë të Detit Lindor të saj, e cila mbulon edhe ishujt sovraniteti i të cilëve pretendohet nga Japonia.
Ministria kineze e Mbrojtjes deklaroi se mjetet ajrore që hyjnë në këtë zonë duhet t’i binden rregullave të saj, ndryshe do të përballen me “masa mbrojtëse urgjente”.
Zona ka hyrë në fuqi gjatë orëve të para të së shtunës. Ishujt, e njohur si Senkaku nga Japonia dhe Diaoju nga Kina, janë burim tensionesh mes dy vendeve.
Në deklaratën e saj Ministria e Mbrojtjes deklaroi se mjetet ajrore duhet të raportojnë një plan fluturimi, të kenë dy kanale komunikimi përmes radios dhe t’u përgjigjen në kohën dhe në mënyrën e duhur kërkesave për identifikim.
“Forcat e armatosura kineze do të ndërmarrin masa mbrojtëse emergjente për t’iu përgjigjur mjeteve ajrore që nuk bashkëpunojnë për identifikimin apo që refuzojnë të ndjekin instruksionet”, thuhet në një deklaratë.
Një hartë e postuar në Twitter nga agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” tregoi zonën që mbulon një pjesë të gjerë të Detit Lindor të Kinës, përfshirë disa rajone shumë pranë Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Duke iu përgjigjur interesit për zonën e ngritur në faqen zyrtare të internetit, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, Yang Yujun tha se Pekini zyrtar e kishte ngritur atë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror, për ruajtjen e sigurisë ajrore dhe tokësorë, si dhe për të vendosur rend në fluturime.
“Ajo nuk është ngritur ndaj një vendi apo objektivi të veçantë. Kina ka respektuar gjithmonë lirinë e fluturimit në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, deklaroi zëdhënësi.
Top Channel