Jemen, vritet ligjvënësi, qëllohet i dërguari

23/11/2013 04:40

Një parlamentar i Jemenit është qëlluar për vdekje nga një agresor i armatosur, të premten në Sanaa, bënë të ditur zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme për CNN.

“Abdul Karim Jedban ishte duke u kthyer për në shtëpi, kur u qëllua nga një i armatosur me motoçikletë”, tha zyrtari i lartë, në kushtet e anonimatit, për shkak të sensitivitetit të ngjarjes.

Zyrtarët thanë se në një incident tjetër, por në të njëjtën zonë të Sanaa, një i dërguar i Kombeve të Bashkuara u qëllua gjithashtu, megjithatë nuk mbeti i plagosur, teksa po kthehej për në hotelin e tij.

Por, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, SABA, një burim zyrtar në zyrën e të dërguarit të OKB-së, Jamal Benomar, mohoi që i dërguari të ishte qëlluar, duke thënë se raportimet për një incident të tillë ishin të pabaza.

Vrasja e Jedban, i cili përfaqësonte Houthis, një lëvizje pro-shiite, në Konferencën Kombëtare të Dialogut (NDC), përbën një goditje të rëndë ndaj periudhës tranzicionale të vendit, por dhe përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë progres politik në Jemen.

Të mbështetur nga OKB, bisedimet e pajtimit të NDC-së kanë për qëllim hartimin e një kushtetute të re, si dhe hedhjen e bazave për zgjedhjet, që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Houthi-t, Hasan al-Hamran, dënoi vrasjen e Jedban dhe kërkoi përgjigje të menjëhershme nga qeveria. Ai tha se vrasja e fundit ngre shqetësime të mëdha e serioze. “Vrasja e Jedban dëmton progresin politik”, tha al-Hamran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA