Gjenevë, bashkohen dhe Lavrov me Kerry-n

23/11/2013 01:30

Ministri i Jashtëm rus dhe Sekretari amerikan i Shtetit do të bashkohen në negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit, pasi të dërguarit e 7 vendeve të përfshira në bisedimet e Gjenevës nuk po mundin të arrijnë një marrëveshje.

John Kerry dhe Sergei Lavrov do të bashkohen me diplomatët nga Irani dhe 6 fuqitë botërore, të shtunën, në përpjekje për të arritur marrëveshjen që do të detyrojë Teheranin të ndalë aktivitetet atomike, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Lavrov ka mbërritur tashmë në kryeqytetin e Zvicrës, ndërkohë që Kerry kishte planifikuar të nisej për në Gjenevë në orët e vona të së premtes.

Gjithsesi, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, paralajmëroi se lëvizja e Kerry-t nuk duhet marrë domosdoshmërisht si një shenjë se marrëveshja me iranianët është e pashmangshme.

“Edhe nëse Sekretari do të udhëtojë atje, kjo nuk do të thotë se do të kemi një rezultat përfundimtar”, tha Psaki. Diferencat në lidhje me faktin nëse Irani ka të drejtë apo jo të pasurojë uranium, i cili mund të përdoret më tej për të zhvilluar armët bërthamore, duken se janë pika kyçe e pazgjidhur nga negociatorët më të lartë gjatë ditës së premte.

Mohammad Javad Zarif, ministri i Jashtëm iranian, dhe Catherine Ashton, kryediplomatja e Bashkimit Europian, janë takuar në mënyrë të përsëritur që prej së mërkurës, për të nënshkruar dokumentin, që do t’i hapte rrugën marrëveshjes bërthamore të pranueshme, si nga Teherani, edhe nga 6 fuqitë e tjera, ku bëjnë pjesë 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë në OKB, plus Gjermaninë.

Irani, i goditur nga sanksionet e ashpra të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, BE dhe OKB, thotë se pasurimi i uraniumit bëhet vetëm për ta përdorur atë si lëndë djegëse në reaktorë, për përdorime mjekësore dhe kërkime. Por, teknologjia në fjalë mund të prodhojë gjithashtu edhe materiale bërthamore të përdorimit luftarak.

Zarif, fundjavën e kaluar, theksoi se Irani ishte gati të nënshkruante një marrëveshje, që nuk përmban shprehimisht të drejtën e Iranit për pasurim, duke rritur shpresat se një marrëveshje e tillë mund të arrihet në raundin aktual të bisedimeve në Gjenevë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA