Shtatë fraksione islamike të kryengritjes siriane bashkuan forcat në një front të përbashkët kryengritës, një lëvizje alarmuese mbi zhvillimet e luftës civile në Siri.
Në një deklaratë të përbashkët, ditën e premte, organizatat e Ahrar al-Sham, Jaysh al-Islam, Suqour al-Sham, Liwa al-Tawhid, Liwa al-Haqq, Ansar al-Sham dhe Fronti Islamik Kurd vendosën që të shkriheshin në një lëvizje që do të quhet tashmë “Fronti Islamik”.
Sipas deklaratës, “Fronti Islamik” do të jetë një forcë e “pavarur politik, ushtarake dhe shoqërore, e vendosur për të rrëzuar regjimin e Bashar al-Assad dhe krijuar një shtet islamik në Siri”.
Ndonëse një prej mbështetësve kryesorë të kryengritësve, Uashingtoni ka paralajmëruar në të shkuarën mbi mundësinë e “pengmarrjes” së revolucionit të popullit sirian nga grupet e ekstremistëve.
Sipas ekspertëve, bashkimi i radikalëve në një front të përbashkët përbën një lëvizje që ka fuqinë potenciale për të ndryshuar situatën gjeopolitike mbi mbështetjen e superfuqive ndaj palëve ndërluftuese në vend.
Ndërkohë, gjatë të premtes, forcat e ushtrisë së rregullt të presidentit Bashar al-Assad regjistruan përparime të rëndësishme në disa nga territoret e zotëruara prej kryengritësve.
Mediat ndërkombëtare raportuan se ushtria ka gjetur energji të reja dhe po vazhdon mësymjen e saj të suksesshme, që i ka sjellë gjatë muajit të fundit rikthimin nën kontroll të disa qytezave pranë kryeqytetit Damask dhe kryeqendrës ekonomike Aleppo.
Forcat ushtarake po ndihmohen edhe nga Lëvizja Islamike Shiite e Hezbollahut dhe nga Garda Revolucionare Iraniane.
Top Channel