Ferrari pa pilot lider

22/11/2013 00:00

Me garën e Brazilit Ferrari mbyll një tjetër sezon zhgënjyes në Formula 1. “Kokëkuqja” prej muajsh ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm, pa Felipe Masën në krah të Alonsos, por me Kimi Raikonen.

Gjatë garave me Masën, Alonso konsiderohej “pilot i parë”, por kjo do të ndryshojë sezonin e ardhshëm, të paktën sipas numrit një të Ferrarit, Luca Montezemolo.

“Alonso e di që duhet të fitojë për veten e tij, por edhe për Ferrarin. Ne jemi një skuadër dhe unë dëshiroj që të dy pilotët të reagojnë si pjesëtarë të një skuadre. Nga sezoni i ardhshëm do të kemi dy pilotë me eksperiencë dhe unë mendoj që kjo është edhe në interes të vetë Alonsos, që do të ketë në skuadër një pilot në gjendje të luftojë me kundërshtarët e përbashkët”, deklaron Montezemolo.

Për presidentin e Ferrarit përzgjedhja e Kimit ishte e duhura dhe shprehu besimin se nuk do të zhgënjehet.

“Me një makinë të ndërtuar mbi bazën e rregullave krejtësisht të reja, na duhej një pilot me përvojë dhe mendoj që kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Pastaj nuk duhet harruar që Kimi është piloti i fundit që ka fituar një titull me Ferrarin. Ne kishim nevojë për një pilot në gjendje që të fitojë gara ose të paktën që t’u hiqte pikë rivalëve tanë kryesorë dhe unë besoj që Kimi është në gjendje t’i bëjë këto”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB