Ekonomia, rritja nën 1 për qind

22/11/2013 00:00

Banka e Shqipërisë lëshon alarmin se rritja ekonomike rrezikon të bjerë
këtë vit në nivelet më të ulëta që nga fillimi i krizës.

Pas ritmeve zhgënjyese në gjysmën e parë të vitit, Banka vlerëson se rritja e Prodhimit Kombëtar është ngadalësuar sërish edhe në tremujorin e tretë. Kjo do të thotë se për këtë periudhë rritja ekonomike ka qenë më poshtë edhe se niveli minimal prej 1.1 për qind që u shënua një tremujor më parë.

Sipas Bankës, dobësimi lidhet me rënien e mëtejshme të konsumit dhe investimeve private, por edhe me tërheqjen e Qeverisë nga shpenzimet e larta menjehërë pas përfundimit të zgjedhjeve. Që prej fillimit të vitit Banka Qendrore ka mbajtur si skenar bazë atë se rritja ekonomike e 2013-ës do të jetë në të njëtat nivele me një vit më parë, rreth 1.6 për qind.

Por në raportin e sapopublikuar të politikës monetare, ky parashikim është vënë për herë të parë në dyshim, teksa konsiderohet si subjekt i rreziqeve të shtuara në kahun rënës.

Tani shpresa e vetme që ekonomia të ruajë ritmin minimal të vitit të kaluar mbetet sipas ekspertëve të Bankës rritja e shpenzimeve qeveritare në tremujorin e fundit, të financuara me zgjerimin e huamarrjes publike në nivele rekord. Por përtej 2013-ës shqetësimi më i madh është ai i vitit të ardhshëm. Krizës së konsumit dhe investimeve të brendshme prej dy tremujorësh i është shtuar edhe efekti negativ i kërkesës së huaj.  

Me borxhin publik në nivele të rrezikshme dhe ngadalësimin e ekosporteve, fati i ekonomisë për vitin e ardhshëm lidhet me shpenzimet e familjeve. Nëse kriza e konsumit do vazhdojë ashtu sikurse ka ndodhur këtë vit, rreziku që ekonomia të rrëshqasë në stanjacion, e ndoshta edhe në skenarë më negativ është i lartë. 

Top Channel