Bisedimet e vështira Iran-superfuqi

22/11/2013 16:45

Superfuqitë botërore dhe Irani vazhdojnë në ditën e tyre të tretë të bisedimeve, ndërsa negociatat për programin bërthamor të Teheranit janë duke rezultuar të vështira.

Në një koment mbi ecurinë e bisedimeve, përfaqësuesi iranian deklaroi se mbeten disa “çështje serioze” që duhet të zgjidhen, përpara gjetjes së një rruge të mesme.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov pritet t’i bashkohet bisedimeve pasditen e së premtes dhe besohet që diskutimet do të shtyhen deri përtej fundjavës.

Ajo që superfuqitë i ofrojnë Teheranit është lehtësimi i sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim të heqjes dorë nga programi i pasurimit të uraniumit.

Irani, nga ana e tij ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndërpresë këtë program, por shprehet i gatshëm që të pranojë inspektorë dhe t’i ofrojë superfuqive garancitë e domosdoshme për të provuar se qëllimi i programit të tij është vetëm civil.

Irani këmbëngul se dëshiron të përdorë energjinë bërthamore vetëm për arsye civile, por komuniteti ndërkombërar i udhëhequr nga Izraeli, SHBA dhe Franca kërkojnë nga Teherani që të çmontojë teknologjinë e pasurimit të uraniumit dhe teknologjinë e lidhur me zhvillimin e reaktorëve, si një kusht për të lehtësuar bllokadën ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA