Aksioni kombëtar i pastrimit

22/11/2013 00:00

Mbi 100 mijë vullnetarë janë bërë pjesë e aksionit kombëtar për
pastrimin e Shqipërisë. Nxënës, studentë dhe qytetarë të ndryshëm, gjatë
paradites kanë mbushur vendet e paracaktuara nga Bashkia për ta
pastruar nga mbeturinat e ndryshme që hidhen në rruge.

Të rinjtë thonë se nisma të tilla duhet të ketë gjithnjë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit Lefter Koka kane zgjedhur zonen e Kombinatit, per te kontribuar edhe individualisht ne kete aksion.

“Më pelqeu ideja e një vajze, e cila tha se aktiviteti për pastrimin e ambienteve tona të përfshihet si edukatë, si kulturë, si pjesë e të qenit së bashku”, tha Kryeministri Rama.

“Shqipëria nuk pastrohet dot në një ditë. Ajo ka nevojë të pastrohet çdo ditë dhe të kujdesemi për pastërtinë e vendit tonë”, tha ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Kengetarja Elsa Lila, e cila dy jave me pare u shpreh publikisht kunder ardhjes se lendeve kimike ne Shqiperi, iu bashkua aksionit “Te pastrojme Shqiperine ne nje dite”, duke qendruar edhe ne krah te Kryeministrit Rama.

Aksion pastrimi në Gjirokastër

Qindra qytetarë, nxënës dhe studentë i janë bashkuar nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” në Gjirokastër.

Në krye të iniciativës u vu ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Erjon Veliaj, i cili është ndalur fillimisht për të takuar studentë të Universitetit “Eqrem Çabej”, ku ka bërë publike rezultatet e para të këtij aksioni kombëtar.

Disa qindra ton mbetje urbane rezultuan se ishin pastruar në disa pika kritike në qytetin e Gjirokastrës që në orët e para të mëngjesit. Aksioni u përqendrua në lagjet e sipërme tradicionale, por edhe në pjesën e re të qytetit.

“Eshtë momenti për të menduar në çfarë Shqipërie duam të jetojmë dhe është shumë e mirë që ne protestojmë që ne mos të na vijnë plehrat e huaja, por është shumë e rëndësishme që ne mos të bëjmë pis Shqipërinë tonë, nëse duam të integrohemi në Europë ne duhet të sillemi si europianë sot. Më shumë se 100 vullnetare të çdo moshe janë në krye të kësaj detyre fantastike dhe qytetari”, tha ministri Veliaj.

Eshtë momenti i duhur për të parë që me vullnetarizëm mund të bëjmë gjëra shumë të mira në Shqipërinë tonë”, tha Zamira Rami, prefekte e Qarkut të Gjirokastrës.

Më tej disa dhjetëra vullnetarë dhe efektivë policie i janë drejtuar pikës kufitare të Kakavijes për të pastruar mbetjet në hapësirën hyrëse për në Shqipëri çka sipas vullnetarëve është edhe imazhi i parë për të gjithë ata që vizitojnë vendin.

Top Channel