Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerëson si të domosdoshme praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë dhe në të gjitha proceset e tjera për Kosovën.
Zonja Jahjaga priti të enjten zëvendësndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hoyt Yee. Takimi ishte i mbyllur dhe pas tij nuk pati deklaratë për media.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, presidentja Jahjaga shprehu qëndrimin e saj për sa i përket normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd.
Domosdoshmëria, që SHBA-të të qëndrojnë pranë Kosovës në këtë proces, por edhe që ky proces të përfundojë me një marrëveshje ligjore, si kusht që vendet të mos e bllokojnë njëra-tjetrën drejt aderimit në Bashkimin Europian, ishin tema të takimit.
“Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjore, e cila do të mundësonte që dy shtetet të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Europian, pa bllokuar njëra-tjetrën”, citohet të ketë thënë presidentja Atifete Jahjaga.
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentes së Kosovës, duhet të bëhet përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, zoti Hoyt Yee, tha se SHBA-të do të vazhdojnë ta ndihmojnë atë, në proceset nëpër të cilat po kalon, dhe vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit e të thellojë reformat e saj të brendshme.
Siç thuhet në komunikatë, zyrtari amerikan ka thënë se SHBA-të duan që të shohin Kosovën, dhe gjithë rajonin e Ballkanit, pjesë të BE-së.
Zëvendësndihmës sekretari i SHBA-ve u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit ishte temë e takimit. Në Kryeministri, Thaçi ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për të punuar në zbatimin e marrëveshjes dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Top Channel