Deputetët ukrainas rrëzuan një projektligj, i cili do të lejonte lirimin e lideres së burgosur të opozitës, Yulia Tymoshenko, në këmbim të një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian.
Ligjvënësit refuzuan të gjashtë nenet e projektligjit, i cili përfshinte automatikisht lirimin e Tymoshenkos për trajtim mjekësor jashtë vendit.
Në prag të shqyrtimit të kësaj çështje në Kuvend, Ukraina u vendos nën një presion të madh nga Rusia për të refuzuar, për shkak të hapit historik që do të realizonte ish-republika sovjetike drejt një kursi më perëndimor.
Pas rrëzimit të projektligjit, Bashkimi Europian, i cili këmbëngul se burgosja e Tymoshenkos është politikisht e motivuar, do të dërgojë një diplomat special për të negociuar sërish me Kievin.
Gjithashtu, në kryeqytetin ukrainas mbërrin të enjten, për herë të dytë brenda javës, edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle.
Në këmbim të mosfirmosjes së marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE-në, Moska i ofron Ukrainas pjesëmarrjen në një zonë të lirë të shkëmbimit doganor që ajo ka krijuar së bashku me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.
Tymoshenko, figura kryesore e Revolucionit të Portokallinjtë dhe kryeministrja e parë femër në historinë e Ukrainës po vuan vitin e dytë të një dënimi 7-vjeçar për abuzim me detyrën gjatë kohës që drejtonte ekzekutivin e vendit.
Top Channel