Shtetet e Bashkuara do të kenë “të drejta ekskluzive” për të gjykuar ushtarët amerikanë të akuzuar për krime në Afganistan, si dhe do të ruajnë disa baza në këtë vend edhe pasi një pjesë e forcave të saj të tërhiqen vitin e ardhshëm.
Ky është thelbi i tekstit të draft-marrëveshjes së sigurisë, të publikuar nga Ministria e Jashtme afgane. Forma e draftit të marrëveshjes bilaterale për sigurinë u publikua në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme afgane, orët e vona të së mërkurës, disa orë përpara caktimit të nisjes së “Loya Jirga”, gjatë së enjtes.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha menjëherë pas publikimit, se teksti përfundimtar është dakordësuar nga të dy kombet, por refuzoi të komentonte mbi detajet e këtij drafti.
Artikulli 13 i draftit afgan, i përshkruar si dokumenti para-vendimtar, “autorizon Shtetet e Bashkuara të gjykojnë qoftë në rrugë civile, ashtu dhe penale, në raste të tilla, ose të ndërmarrin masa të tjera disiplinore të përshtatshme në territorin e Afganistanit”.
Forcat amerikane nuk do të zhvillojnë operacione ushtarake në Afganistan, “për sa kohë që nuk do të bihet fillimisht dakord mes të dy palëve”, thuhej në tekstin e publikuar.
Një shtojcë e marrëveshjes thekson gjithashtu se 9 objekte do të vijojnë të ofrohen nga Afganistani në shërbim të SHBA-ve. Mes tyre, është edhe baza e Forcave Ajrore në Kandahar, ku mund të qëndrojnë mbi 200 anije luftarake.
Teksti pritet t’i paraqitet Loya Jirga-s gjatë së enjtes, për t’u debatuar nga më shumë se 2500 delegatë nga i gjithë vendi, përgjatë 3 ditëve të diskutimit.
Top Channel