Obama, letër Karzait

21/11/2013 23:30

Presidenti amerikan, Barak Obama, i zotohet homologut afgan, Hamid Karzai, të respektojë sovranitetin e vendit të tij, në një kohë kur liderët fisnorë janë përfshirë në diskutime intensive, mbi paktin kyç të sigurisë pas 2014-s.

Në një letër dërguar Karzait, shefi i Shtëpisë së Bardhë jep fjalën se forcat amerikane nuk do të hyjnë në shtëpitë e afganëve, përveç se në “rrethana të jashtëzakonshme”, një nga pikat kryesore të debatit, kjo.

Rreth 2,000 të mbledhurve në “Loya Jirga”, Karzai u kërkoi ta mbështesin marrëveshjen, sipas së cilës, pas vitit të ardhshëm, në Afganistan mund të qëndrojnë 15,000 trupa të huaja.

Nënshkrimi i paktit, megjithatë, nuk do të realizohet përpara zgjedhjeve, që duhen të mbahen pas 6 muajsh. Karzai vet ka shërbyer deri tani dy mandate në krye të shtetit dhe nuk mund të kandidojë më për një të tretë.

Paprekshmëri dhe dinjitet, këto garanton Obama në letrën e tij. Forcat amerikane nuk do të hyjnë në shtëpitë e njerëzve për qëllime ushtarake, përveç ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, kur mund të rrezikohet jeta e një bashkëkombasi amerikan.

“Loya Jirga” mund të pranojë apo të refuzojë marrëveshjen, edhe pse vendimet e saj nuk kanë fuqi detyruese. Pakti duhet të marrë edhe dritën jeshile të Parlamentit. Deklarata e Karzait mbi kohën e firmosjes ishte një element i ri, që del në skenë vetëm tani, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë që marrëveshja të vuloset sa më shpejt të jetë e mundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA