Autoritetet kineze nuk do të përdorin më torturën si një mjet për të nxjerrë rrëfime në hetuesi, vendosi të enjten Gjykata e Lartë.
Përveç torturës, gjykata përcaktoi se gjithashtu ndalohen mënyra të tjera të shkaktimit të dhembjes fizike, midis të cilave lënia jashtë në ngricë, lënia pa bukë, vendosja në kushte të nxehtësisë ekstreme, detyrimi i qëndrimit pa gjumë apo pranë zjarrit.
Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen pas një serie akuzash për trajtim çnjerrëzor të të dyshuarve në kushtet e paraburgimit.
Një javë më parë, Pekini lajmëroi edhe për mbylljen brenda një afati të shkurtër kohor të kampeve të ri-edukimit.
Sistemi, i hyrë në fuqi në vitin 1950, lejon policinë që të dërgojë këdo në kampet e punës së rëndë deri në katër vjet pa gjyq.
Vendimet e fundit janë mirëpritur prej organizatave të të drejtave të njeriut, që shpesh kanë përzgjedhur Kinën si shembull të shkeljes flagrante të këtyre të drejtave.
Këto reforma, të cilat njëkohësisht përbëjnë ndryshime të rëndësishme të regjimit një-partiak që udhëheq vendin, vijnë vetëm dy javë pas një mbledhje me dyer të mbyllura të drejtuesve më të lartë shtetërorë.
Top Channel