Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Qeveria në Republikën Afrikane Qendrore ka deklaruar se është në
bisedime me lordin ugandas të luftës, Joseph Kony me qëllim dorëzimin e
tij.
Një zëdhënës i qeverisë afrikane tha për BBC se Kony ndodhej në vend, por dëshironte që t’i garantohej siguria përpara se të vetëdorëzohej.
Kony, lider i Ushtrisë së Rezistencës së Zotit kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar deri në 5 milionë dollarë shpërblim për informacione që mund të çojnë në arrestimin e tij.
Kjo është hera e parë në shumë vite që vendndodhja e Konyt është zbuluar. Gjithashtu, të mërkurën i dërguari i posaçëm i Unionit Afrikan në URZ, Francisco Madeira tha për Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Koni vuante nga një sëmundje e rëndë.
Në prill ushtria e Ugandës ndërpreu kërkimet për të në Republikën e Afrikës Qendrore për shkak të armiqësisë së qeverisë që u krijua kur forcat rebele morën pushtetin atje.
Joseph Kony vlerësohet se ka nën urdhërat e tij nga 200-500 luftëtarë, me të cilët ka zhvilluar luftë në Uganda dhe në rajonin afrikan për më shumë se dy dekada.
Ai thotë se misioni i URZ është instalimi në Uganda i një qeverie të bazuar në Dhjetë Urdhëresat e Biblës. Por rebelët e tij kanë terrorizuar zona të tëra në Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin Jugor dhe RAQ.
Ai kërkohet nga gjykata e Hagës për dhunime, gjymtime dhe vrasje të civilëve, si dhe për rekrutimin e fëmijëve, djemtë për të shërbyer si ushtarë dhe femrat si skllave seksi.
Top Channel