Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Hakersat e grupit Anonymous kanë sulmuar faqet e internetit të policisë
dhe bankës shtetërore të Australisë. Sulmi vjen në një moment të
tendosur pas lajmeve se qeveria e Kanberrës ka përgjuar zyrtarët e lartë
të Indonezisë.
Lajmet në fjalë kanë rritur tensionet mes dy aleatëve dhe kanë shkaktuar protesta në Indonezi. Qeveria e Xhakartës ka ndërprerë bashkëpunimin ushtarak me Australinë dhe ka thirrur ambasadorin e saj për sqarime.
Lajmet për përgjime u publikuan në mediat australiane, pas dokumentave të ofruara nga ish-kontraktori i NSA-së, Edward Snowden.
Dokumentet në fjalë tregojnë se agjencitë australiane të spiunazhit konsideronin presidentin indonezian, bashkëshorten e tij, zëvendëspresidentin dhe disa ministra si shënjestra të përgjimeve telefonike.
Sipas mediave lokale, përgjimet janë kryer në vitin 2009, nën direktivat e qeverisë së atëhershme australiane.
“Është e pamundur të vazhdojmë bashkëpunimin ushtarak kur ne nuk jemi të sigurt nga përgjimet”, deklaroi të mërkurën presidenti indonezian Susilo Bambang Yudhoyono. Ai shtoi se do t’i shkruajë kryeministrit australian Tony Abbott për të kërkuar një shpjegim zyrtar për këtë çështje.
Nga ana e tij, zoti Abbott ka thënë se ndihet i brengosur nga lajmet e publikuara në media. Gjithësesi, ai ka thënë edhe se Australia nuk ka përse të kërkojë falje për mbledhjen e informacioneve të nevojshme.
Top Channel