Asambleja Kombëtare e Venezuelës i ka dhënë presidentit Nicolas Maduro disa kompetenca të gjera speciale, për të qeverisur vendin nëpërmjet dekreteve për 1 vit, në mënyrë që të fiksojë problemet ekonomike të vendit.
Votimi i së martës mbi Mundësimin e Ligjit është lëvizja e fundit nga lideri i zgjedhur venezuelian, i favorizuari i presidentit të ndjerë Hugo Chavez, për të forcuar dorën e hekurt të tij, teksa përballet me disa teste politike të rëndësishme në zgjedhjet lokale muajin e ardhshëm.
Ligji do t’i lejojë kryesisht presidentit të krijojë ligje pa aprovimin e Parlamentit. Presidenti socialist ka thënë se kishte nevojë për fuqi më të mëdha personale, për të shtypur kundërshtarët, të cilët janë duke zhvilluar “një luftë ekonomike ndaj qeverisë së tij”, teksa vendi vuan nga rritja e inflacionit dhe mungesa e të mirave bazike.
“Ai do të duhet të përballet me ekonominë në rënie të lirë”, tha korrespondenti i al-Jazeera-s në Karakas. “Populli po vuan vërtet në blerjen e të mirave më të domosdoshme shtëpiake”.
Përgjatë fundjavës, Maduro përdori autoritetin e tij ekzistues për të detyruar dyqanet e shitjes me pakicë të aplikonin uljen e çmimeve, duke dërguar ushtarët për ruajtjen e rendit përpara turmave që u formuan me shpejtësi të madhe.
Skontot e thella, me më shumë se 60%, që Maduro deklaroi se do të shtriheshin për lodrat, makinat dhe veshmbathjet, vijnë teksa punonjësit do të marrin bonuset e fundvitit, duke u lejuar atyre të bëjnë blerje që, në rast të kundërt, nuk do të mundeshin t’i bënin.
Vendi është goditur vazhdimisht nga norma e inflacionit prej 54%, nga mungesa e likuiditetit të monedhës dhe të mirave bazike.
Kritikët, gjithsesi, akuzojnë për vështirësitë ekonomike të Venezuelës, kursin fiks të këmbimit të imponuar nga qeveria dhe kontrollin e çmimeve, gjë që ka çuar sipas tyre në mungesën e të mirave bazike si orizi dhe mishi.
Votimi i Asamblesë Kombëtare, për aprovimin e të ashtuquajturit Mundësim i Ligjit, pritej gjerësisht pasi Maduro kishte siguruar mbështetjen e 2/3-tave të nevojshme, apo 99 vota, gjatë një debati paraprak javën e kaluar.
Kjo lëvizje i shtohet spekulimeve të opozitës se ky ishte një grabitje e maskuar e fuqive nga presidenti.
Top Channel