Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Një vrasës serial u ekzekutua në Misuri të Shteteve të Bashkuara pas dritës jeshile të dhënë nga Gjykata Supreme amerikane.
Joseph Franklin dyshohet si autor i të paktën 20 vrasjeve për motive raciste. Objektiv i tij ishin njerëzit me ngjyrë dhe hebrenjtë.
Në vitin 1977 ai hapi zjarr në hyrje të një sinagoge duke lënë të vrarë 1 person dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë. Një vit më vonë, ai qëlloi botuesin e revistës “Hustler”, Larry Flynt pas botimit të një fotoje “të miksuar racore”, duke e lënë të paralizuar atë.
Megjithatë, vetë Flynt është një kundërshtar i dënimit me vdekje dhe nuk kërkonte ekzekutimin e agresorit të tij.
Pak muaj më parë, në një deklaratë për mediat amerikane nga qelia ku priste vendimin e Gjykatës Supreme, vrasësi serial tha se ishte penduar për vrasjet e kryera dhe se kishte qëndrimet e tij kishin ndryshuar.
“Motivimi im për ato vrasje s’kishte logjikë. Në burg kam patur kontakte me njerëz me ngjyrë dhe vura re se edhe ata ishin njerëz, ashtu si ne”, tha ai.
Vendimi i dhënë nga një gjykatë lokale në Misuri u apelua në një gjykatë federale nga avokatët e Franklin dhe baza e apelimit ishte lloji i injektimit vdekjeprurës që do të përdorej, që sipas tyre binte në kundërshtim me kushtetutën amerikane, për një ekzekutim pa vuajtje.
Top Channel