SHBA-Afganistan, ende mundësi për marrëveshje

20/11/2013 03:25

Një ndërhyrje e minutës së fundit nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mund të ndikojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje sigurie, që do t’i lejonte forcat amerikane të qëndronin në Afganistan përtej fundit të vitit të ardhshëm.

Kerry është ofruar të dërgojë një letër, ku pranon gabimet e amerikanëve në të kaluarën, në takimin e “pleqve” afganë, i quajtur Loya Jirga, që do të mblidhet për të shqyrtuar marrëveshjen.

Bisedimet po mbahen në vijim, për të hartuar një dokument të pranueshëm nga të dyja palët. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje, Washington-i do të tërheqë të gjithë trupat e tij vitin e ardhshëm.

Korrespondentë të huaj thonë se diplomatët ndërkombëtarë janë detyruar të bëjnë ndryshime të paparashikueshme përgjatë 12 viteve të pushtetit të presidentit Hamid Karzai.

48 orët e fundit kanë qenë veçanërisht demoralizuese, pasi negociatat disa mujorshme kanë qenë shumë pranë daljes nga “shinat”, për shkak të një propozimi të fundit të palës afgane, e cila ka kërkuar që marrëveshjet e ardhshme të sigurisë të parandalojnë hyrjen e forcave amerikane në shtëpitë afgane.

Por, pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Kerry-t, nëpërmjet telefonit, presidenti afgan ka pranuar një ofertë, sipas së cilës presidenti Barack Obama do të shkruajë një letër, ku pranon gabimet e kryera në të kaluarën nga amerikanët, si dhe kërkon në të, që forcat amerikane të kenë të drejtën për të hyrë në shtëpitë afgane, vetëm në rast të “ndonjë rreziku urgjent për jetët e ushtarëve amerikanë”.

Nëse kjo letër vjen, marrëveshja do të prezantohet më pas për aprovim në Loya Jirga, ku marrin pjesë rreth 3000 pleq afganë (këshilli i pleqve), që do të mblidhet të enjten.

Ky është një kompromis i minutës së fundit për qeverinë amerikane, që do të kishte dashur realisht që marrëveshja të ishte nënshkruar muaj më parë, në mënyrë që forcat amerikane të mund të planifikojnë se çdo të bëjnë në periudhën pasi të përfundojnë operacionet luftarake, në 2014-n.

Por, ka ende pengesa përpara, edhe nëse kompromisi pranohet, përfshi këtu një mosmarrëveshje mbi faktin se kush do të ketë juridiksionin për krimet e kryera nga forcat amerikane, që do të qëndrojnë në Afganistan pas 2014-s.

Edhe pse zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, tha se dy palët vazhdojnë të bëjnë progres, ajo shtoi se “ende nuk jemi aty ku duhet”.

Më herët, gjatë kësaj jave, një zëdhënës i presidentit afgan, Hamid Karzai, tha për BBC se nuk ka asnjë mundësi fleksibile për qëndrimin e marrë nga qeveria e tij, në lidhje me të drejtën e hyrjes së forcave amerikane në shtëpitë afgane dhe xhamitë.

Ndërkohë, qindra studentë afganë kanë dalë në demonstrata kundër paktit të mundshëm të sigurisë me SHBA-të, duke thirrur në kor slogane anti-amerikane në protestën e parë publike kundër marrëveshjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA