Obama: Jo sanksione të reja Iranit

20/11/2013 00:00

Pavarësisht paralajmërimeve të Izraelit dhe të Francës për të “qenë të kujdesshëm” në bisedimet me Iranin për programin e tij bërthamor, Presidentit amerikan Barack Obama duket i vendosur për vazhdimin e tyre.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi Senatorëve në Kongresin amerikan që të presin rezultatin e bisedimeve të radhës mes fuqive botërore dhe Teheranit për programin e tij bërthamor dhe më pas të propozojnë sanksione të reja ndaj Republikës Islamike.

Të mërkurën në Gjenevë grupi i përbërë nga pesë anëtaret e përherëshme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania do të zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve në Gjenevë me palën iraniane.

Obama tha se nëse nuk arrihet një marrëveshje, Irani do të vazhdojë të pasurojë uraniumin. Ai u takua me një grup përfaqësuesish të Kongresit së bashku me Sekretarin e Jashtëm, John Kerry dhe Këshilltaren e Sigurisë, Susan Rice.

Së fundmi në SHBA janë shtuar zërat se Shtëpia e Bardhë po nxiton me bisedimet me Iranin dhe kërkojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit për programin e tij bërthamor.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian një ditë para nisjes së raundit të dytë të bisedimeve deklaroi se beson që palët mund të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Qëndrimi i zbutur i SHBA karshi Iranit e ka “armiqësuar” atë më aleatin e përhershëm, Izraelin. Nga Tel Avivi kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu tha se Uashingtoni po gabon me bisedimet, ndërkohë që qëndrimi i tij është mbështetur edhe nga Franca.

Presidenti francez, Francois Hollande gjatë vizitës zyrtare në këtë vend mbështeti shqetësimet e Izraelit, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj shtetit hebre në lidhje me ndërtimet e reja kolone në tokat palestineze, për të cilat tha se duhet të ndaleshin menjëherë.

Ajatollahu: S’lëvizim nga e drejta e programit bërthamor

Lideri Suprem iranian, Ajatollahu Ali Khamenei deklaroi se Irani nuk do të lëvizë asnjë presje nga qëndrimi i tij për programin bërthamor.

“Ne këmbëngulim në qëndrimin tonë dhe nuk do të tërheqim asnjë presje nga e drejta jonë. Irani respekton kombet e tjera, por ata duhet ta dijnë se agresorët do të marrin një goditje të fortë, që s’do ta harrojnë kurrë”, tha lideri suprem iranian në një deklaratë televizive.

Ajatollahu Khamenei tha se nuk do të ndërhyjë në bisedimet e Gjenevës, por shtoi se i kishte përcaktuar kornizën e bisedimeve grupit negociator iranian.

Ndërkohë në një video të postuar në Youtube, Ministri i Jashtëm iranian, Javid Zarif deklaroi se energjia bërthamore nuk është një synim i vendit të tij për t’iu bashkuar vendeve që e zotërojnë atë apo për të kërcënuar të tjerët, por për t’u siguruar të ardhmen duke diversifikuar burimet ekonomike për të djegur sa më pak naftën vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB