Monopoli i pullave fiskale

20/11/2013 00:00

Biznesi i kërkoi Parlamentit të ndërhyjë për të ulur tarifat e monopolit
të pullave fiskale. Prodhuesit e birrës thanë në Komisionin Parlamentar
të Veprimtarive Prodhuese, se çmimi që përfiton koncesionari është i
padrejtë dhe se ai po rëndon sipërmarrjen.

“Asnjë nga vendet e BE-së dhe jashtë BE-së nuk ekziston një praktikë e tillë që birrat të pajisjen me pullë fiskale, por duke e konsideruar si një praktikë të mbyllur këtë çështje ne kërkojmë që të paktën të ulen cmimi i kodit fiskal apo pullës fiskale dhe konkretisht e kërkojmë nga 22 euro pa TVSH-së, në 2 euro pa TVSH-së”, tha Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”.

Zoti Bregasi tha se marrëveshja e koncesionit është abuzive dhe se ka edhe elementë që shkojnë deri në absurd, duke mbrojtur interesat e privatit në dëm të shtetit.

“Vlera që merr shteti është më e vogël se vlera që merr koncesionari, që do të thotë se shteti ka një strukturë të madhe doganore që të ruajë pullën fiskale të koncesionarit privat, pra kjo është një çmenduri që ka ligji ynë. Kjo vjen për shkak sepse ka vetëm një operator në treg. Dëshiroj të them që çmimi është shumë i lartë dhe i papërballueshëm për industritë tona”, tha Bregasi.

Genc Ruli, deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i Qeverisë në kohën kur u dha ky koncesion, thotë se një pjesë e pretendimeve që ngre biznesi nuk qëndrojnë

“Thuhet që nuk e ka asnjë vend, por këtë e ka Turqia, andej është marrë modeli dhe Turqia e ka akoma, madje e ka me një taksë më të lartë, ose me një kosto më të lartë se 22 euro. Shteti nuk e ka të ardhurën nga vlera e pullës, shteti e ka të ardhurën nga akciza. Nëqoftëse është dyshuar prodhimi për shitje, është dyfishuar edhe akciza, kjo është ajo që shteti synon, nuk synon të ardhurën nga pulla”, tha Ruli.
 
Por kryetari i Komisonit të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi kujtoi se maxhoranca ka marrë një angazhim publik në kohën, kur ishte në opozitë dhe  do t’i qëndrojë.

“Nëqoftëse folëm për zhbërje koncesionesh, folëm pikërisht për zhbërje koncesionesh korruptive dhe abuzive. 2 euro pullat fiskale të cigareve në Kosovë, 20 euro në Shqipëri. Ky koncesion është unikal në botë dhe mesa duket nuk paska pas qëllim formalizimin e tregut, por ngritjen e një biznesi, i cili përfiton në mënyrë abuzive një sasi të konsiderueshme parash”, tha Shalsi.

Vec koncesionit të pullave, prodhuesit e birrës i kanë kërkuar deputetëve të rishikojnë edhe procedurën e parapagimit të akcizës, që sipas tyre është e padrejtë.   

Top Channel