Të paktën 23 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur pas dy shpërthimeve me bombë jashtë ambasadës së Iranit në Bejrut, një sulm që është marrë përsipër nga një grup i lidhur me al-Qaeda-n.
Shpërthimi i parë kishte për objektiv portën e ambasadës, që u shkaktua nga një agresor mbi një motoçikletë. Një shpërthim i dytë edhe më i madh, i cili u realizua nga një agresor tjetër me një mjet 4×4, ndodhi vetëm pak minuta më vonë, pasi njerëzit kishin vrapuar në vendngjarje.
Shpërthimet shkaktuan rrëzimin edhe të fasadave të ndërtesave përreth, duke lënë rrugët të mbushura me rrënoja dhe xhama të thyer, si dhe të ngjyrosura me gjak.
Pamjet nga kanalet televizive lokale dhanë trupa të djegur si dhe flakë të shumta nga disa mjete aty pranë. Punonjësit e shpëtimit dhe rezidentë arritën të nxirrnin disa viktima nga vendngjarja me batanije.
“Shkalla e dukshme e shkatërrimit është një indicie, që tregon se sa të fuqishme ishin shpërthimet”, raporton al-Jazeera. “Mbi 5 ndërtesa u shkatërruan nga shpërthimet. Njerëzit janë dyndur rrugëve, për të parë për njerëzit e tyre të dashur. Skena ishte as më pak dhe as më shumë se kaotike”.
Burime nga ambasada iraniane në Bejrut thanë për al-Jazeera-n se 5 truproja të sigurisë dhe atasheu kulturor, Ebrahim Ansari, janë mes viktimave.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, ka cituar një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të ketë thënë se bombardimet ishin “një krim çnjerëzor dhe një veprim i lig i ndërmarrë nga zionistët dhe mercenarët e tyre”. Izraeli mohoi çdo lidhje të mundshme me këtë ngjarje.
Qeveria e Sirisë tha se sulmet “kutërbojnë nga dollarët e naftës”, një referencë ndaj vendeve të Gjirit Persik të pasura me naftë, si Arabia Saudite dhe Katari, që mbështesin rebelimin ndaj Damaskut.
Gjithsesi, Brigadat e Abdullah Azzam, një grup i lidhur me al-Qaeda-n, që më parë ka hedhur raketa në Izrael nga territoret libaneze, morën përsipër bombardimin.
“Ky është një operacion martirizimi i dyfishtë, i ndërmarrë nga dy heronj të sunitëve të Libanit”, tha Sirajeddin Zreikat, anëtar i grupit, i cili shkroi në Twitter.
“Operacionet do të vazhdojnë në Liban, deri kur të përmbushen dy kërkesat: e para, tërheqjen e anëtarëve të Hezbollahut nga Siria; e dyta, lirimi i të burgosurve tanë padrejtësisht nga burgjet në Liban”.
Luftues nga grupi shiit i Hezbollahut ka luftuar përkrah forcave të Assad në disa beteja strategjike në Siri, kundër rebelëve kryesisht sunitë. Irani ka mbështetur si luftimet e Assad, ashtu dhe Hezbollahun në Liban.
Top Channel