
Rreth 2.500 afganë po mblidhen në Kabul për takimin e njohur si Loya Jirga, që mund të ndihmojë në vendimin nëse trupat aleate duhet të lënë apo jo vendin.
Delegatët do të rishikojnë një projekt/marrëveshje të hartuar mes palës afgane dhe Shteteve të Bashkuara.
Këto të fundit insistojnë që çdo ushtar që do të mbetet në Afganistan pas vitit 2014 të ketë imunitet nga proçedimi gjyqësor, ndryshe trupat do të tërhiqen të tëra.
Ende nuk dihet nëse një projekt përfundimtar është arritur. Të dyja palët kanë refuzuar të prononcohen për këtë çështje. Zëdhënësi i presidentit afgan, Aimal Faizi tha më herët se gjuha e përbashkët nuk është gjetur ende.
Një tjetër pikë e vështirë e marrëveshjes është insistimi i palës afgane që Shtetet e Bashkuara të pranojnë në letër që një sërë gabimesh janë bërë gjatë luftës 12-vjeçare.
Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se këto çështje do të mbizotërojnë në mbledhjen Loya Jirga. Gjithashtu, afganët kundërshtojnë prej kohësh sulmet e marinsave amerikanë në shtëpitë e banorëve, sidomos gjatë natës, pasi shkelin zakonet lokale.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që trupat e mbetura në Afganistan pas vitit 2014 të kenë imunitet nga gjykimi. Dështimi në arritjen e një pakti për këtë pikë në Irak çoi në tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Iraku.
Top Channel