Këshilli i Qytetit të Torontos ka votuar gjatë së hënës për t’i hequr kryebashkiakut, të kritikuar ashpër, Rob Ford, shumicën e fuqive të tij, pas takimit të zhurmshëm në të cilin Ford, në dukje aksidentalisht, ka goditur e rrëzuar një anëtar të këshillit, gjatë pushimit.
Përpara votimit, Ford e quajti këtë lëvizje të këshillit “asgjë më shumë se sa një grusht shteti”, duke i thënë anëtarëve të këshillit se “çdo gjë që shkon, mund të rikthehet, miq. Mbajeni mënd ç’po ju them”.
Ford ka pranuar konsumimin e kokainës së pastër teksa ka qenë i dehur, ndërkohë që po përballet edhe me akuza të tjera të tejkalimit të konsumimit të alkoolit dhe abuzimit me stafin, gjë që ka plasur pas një hetimi për drogën. Asnjë akuzë nuk është ngritur zyrtarisht ndaj tij, por shoku i tij dhe shpesh herë shofer i tij është akuzuar për grabitje.
Të enjten, ai mohoi akuzën e një femre të stafit, se ai i kishte kërkuar të kryente seks oral, duke e shoqëruar edhe me mimikë e duke lënë të habitur reporterët që e rrethonin atë. Ai i quajti akuzat e reja si “100% gënjeshtra”. Ford ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke këmbëngulur se do të lejojë votuesit të vendosin nëse do ta mbajnë ende në këtë post gjatë vitit të ardhshëm.
Këshilli ka bërë thirrje ndaj Ford që të marrë një leje pushimi, si dhe i kanë hequr atij të gjitha fuqitë emergjente. Në një seri votimesh, që përfunduan në takimin e së hënës, këshilli votoi për pakësimin e buxhetit të zyrës së tij dhe numrin e stafit, si dhe transferimin e pjesës më të madhe të fuqive të tij drejt zëvendës-kryebashkiakut të qytetit, Norm Kelly.
Top Channel