Nga futbolli gjerman në Siri

19/11/2013 00:00

Nga topi tek kallashnikovi, nga fusha e futbollit në ato të betejës.
Është në një nga këto të fundit, në Siri, ku ka humbur jetën Burak
Karan, dikur një premtim i futbollit gjerman.

26-vjeçari ka luajtur në radhët e Hamburgut dhe Hanover 96, si dhe shtat herë me kombëtaren gjermane të kategorisë Under 17, përkrah të njohurve si Sami Khedira dhe Kevin Prince Boateng.

Karan, kanë treguar një ditë më parë mediat gjermane, kishte mbërritur në Siri në muajt e fundit për të luftuar kundër forcave të regjimit të Bashar al Assad.

Por një bombë i mori atij jetën, në një fshat jo larg kufirit turk, bëri të ditur vëllai i Karan për të përditshmen gjermane “Bild”. Bëhet fjalë për një kthesë të papritur në jetën e të riut, i cili kishte habitur ekspertët e futbollit në Gjermani në vitin 2008, kur kishte braktisur përkohësisht sportin.

Dhe këtë veprim, sipas “Bild”, ai e kishte bërë për t’u kthyer në një islamik. Gazeta ka publikuar edhe një foto të Karan me një bluzë të bardhë, gjatë një aksioni në një stërvitje të kombëtares gjermane, si dhe një tjetër që tregon djaloshin me mjekrën e rritur dhe një kallashnikov në dorë.

Gjithësesi, mbeten të paqarta rrethanat e vdekjes së Karan dhe roli i tij në milicitë e armatosura që luftojnë kundër regjimit. Vetë familja e 26-vjeçarit po përpiqet të hedhë dritë mbi çështjen, raportoi “Bild” në numrin e një dite më parë. Sipas vëllait, Burak kishte shkuar në Siri për çështje humanitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB