Nepali voton për parlamentin e ri

19/11/2013 00:00

Qytetarët në Nepal po u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e asamblesë së re, që do të ketë për detyrë hartimin e kushtetutës, pas vitesh të tëra shtyrjeje.

Zgjedhjet janë të dytat që mbahen në vend që nga fundi i rebelimit 10-vjeçar maoist në vitin 2006. Gjithësesi, nuk pritet që nga procesi të dalë një fitues i pastër.

Kur qendrat e votimit hapën dyert, një shpërthim në kryeqytetin Katmandu plagosi tre persona, përfshirë një fëmijë, njoftuan autoritetet.

Asambleja e mëparshme e zgjedhur në vitin 2008 supozohej se do të hartonte kushtetutën pas rrëzimit të monarkisë. Por klasa politike u përça dhe nuk e përmbushi asnjëherë detyrën e saj.

Një qeveri e përkohshme, e formuar më herët gjatë vitit nga shumica e partive, kishte caktuar zgjedhjet dhe vendi aktualisht drejtohet nga kryetari i gjykatës Supreme, Khilraj Regmi.

Në prag të votimit, ai dënoi dhunën sporadike të verifikuar në disa zona të vendit dhe theksoi se forcat e sigurisë do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Një grup partish opozitare, të udhëhequra nga fraksioni Maoist, ka bërë thirrje për përçarje të procesit, me kërkesën e formimit të një qeverie të përfaqësuar nga të gjitha partitë dhe që zgjedhjet të mbaheshin në një datë të mëvonshme.

Vonë gjatë së hënës dy persona u plagosën në një shpërthim në Katmandu, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ndërsa një shpërthim i dytë jashtë një qendre votimi po në kryeqytet plagosi tre persona, vetëm pak orë pasi procesi nisi funksionimin ditën e martë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB