Ajo që spekulohej prej kohësh tashmë është bërë publike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë një optikë të ndryshme për mënyrën se si duhet të trajtohet Irani në këndvështrimin e programit të tij bërthamor.
Ndërsa të dy qeveritë bien dakord në faktin që nuk mund të tolerohet një Iran bërthamor, Uashingtoni kundërshton kërkesën e aleatit të tij për të shtrënguar sanksionet ekonomike mbi Teheranin deri në momentin kur do të firmoset një marrëveshje.
“Marrëveshja që SHBA po kërkon të arrijë është e keqe. Ajo i jep kohë Iranit dhe na kërcënon të gjithëve”, deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu për “CNN”.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, argumentoi se SHBA po përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike dhe se sanksione të mëtejshme në këtë moment vetëm sa do të kontribuonin për të tërhequr nga tryeza e bisedimeve regjimin iranian.
Në një shenjë të qartë të cënimit të marrëdhënieve dypalëshe, Tel Avivi dhe Uashingtoni nuk mundën të konfirmonin këtë të hënë nëse Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry do të udhëtojë të premten në Izrael.
Irani këmbëngul se dëshiron të përdorë energjinë bërthamore vetëm për arsye civile, por komuniteti ndërkombërar i udhëhequr nga Izraeli, SHBA dhe Franca kërkojnë nga Teherani që të çmontojë teknologjinë e pasurimit të uraniumit dhe teknologjinë e lidhur me zhvillimin e reaktorëve, si një kusht për të lehtësuar bllokadën ekonomike.
Top Channel