Të paktën 16 të vdekur dhe rrugë e shtëpi të përmbytura, qindra të zhvendosur, ura të shembura, vërshime lumenjsh, ndërprerje energjie elektrike, vështirësi në trafik, vonesa në transportin ajror dhe hekurudhor. Shumë shkolla do të mbeten të mbyllura.
Është ky bilanci provizor i shkatërrimeve të shkaktuara nga cikloni “Cleopatra” në Sardenjë, që mund të rëndohet më tej, sepse errësira dhe zonat e vështira për t’u arritur po ëvshtirësojnë përpjekjet për shpëtim.
Një “masakër” e vërtetë, me 16 viktima, mes të cilëve një grua e re në moshë së bashku me të bijën, si dhe një polic. Kreu i Mbrojtjes Civile, Franco Gabrielli, pas një bisede të gjatë telefonike me kryeministrin Enrico Letta, ka mbledhur urgjentisht në Romë komitetin operacional të Mbrojtjes civile, për të bërë llogaritë. Presidenti i rajonit të Sardenjës, Ugo Cappellacci, është nisur për në Gallura dhe do të bëjë një inspektim në zonat më të prekura.
Viktima e parë ka qenë një grua e moshës 64 vjeçe, Vannina Figus, e gjetur pa jetë në shtëpinë e saj të përmbytur në Uras, një nga qendrat më të goditura nga moti i keq. I shoqi është gjetur gjallë dhe është dërguar për në spitalin “San Martino” të Oristano-s, në hipotermi. Pikërisht në Uras, dhjetra familje janë evakuuar dhe do të kalojnë natën në palestrën komunale, ashtu si dhe në zonën e Terralba-s, ku të shpërngulurit janë plot 800.
Një tjetër grua, një e moshuar 90 vjeçe, është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj të përmbytur në Torpè. Një agjent policie ka vdekur për shkak të shembjes së një ure në Dorgali, Nuorese. Ndërsa 6 viktimat e tjerë janë në zonën e Gallura-s.
Në Olbia kanë vdekur nënë e bijë, të gjetura brenda një makine Smart, e përmbysur për shkak të vërshimit të ujrave në zonën e Bandinu. I shoqi, një polic, që gjendej së bashku me to, ka arritur të shpëtojë. Viktima tjetër është sërish një e moshuar, e cila ka ndërruar jetë në vendbanimin e saj në rrugën Lazio.
3 të vdekur edhe në një aksident rrugor, të shkaktuar nga rënia e një ure në rrugën provinciale 38 (Olbia-Tempio), në zonën e Monte Pino-s. Janë burri, gruaja dhe vjehrra, të gjetur të vdekur brenda një fugoni, i cili ka përfunduar poshtë urës. Janë përfshirë gjithashtu edhe 2 mjete të tjera, me 3 të plagosur, të cilët janë shpëtuar nga zjarrfikësit.
Shira të pandërprerë, që prej natës së kaluar, dhe erëra të “çmendura” me shpejtësi 100 km/h, kanë gjunjëzuar Sardenjën. Përveç Gallura-s, edhe Ogliastra, Oristanese dhe Medio Campidano, janë zonat më të prekura. Vërshimi i ujrave ka shkaktuar dëme të mëdha edhe nëpër fermat bujqësore, teksa rrugët rurale janë përshkuar tërësisht nga përrenjtë dhe qindra kafshë kanë ngordhur.
Top Channel