Egjipt, përvjetori i protestave

19/11/2013 15:40

Kundërshtarë dhe mbështetës të qeverisë së përkohshme ushtarake që drejton Egjiptin dolën në rrugët e qyteteve kryesore të vendit, në përvjetorin e dytë të përballjeve të përgjakshme të civilëve me ushtrinë.

Mijëra persona u grumbulluan në rrugën “Mohammed Mahmoud” në Kajro për të përkujtuar ata që humbën jetën.

Ndërkohë, mbështetës të regjimit ushtarak vandalizuan vetëm disa orë më pas një memorial kushtuar të rënëve në sheshin “Tahrir”.

Dhjetëra persona mbetën të vrarë në përballjen me ushtrinë dhe forcat e sigurisë në Nëntor 2011.

Dhuna u regjistrua ndërsa egjiptianët protestuan kundër Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, i cili mori në dorë pushtetin pas revolucionit që solli rrëzimin e Hosni Mubarak, liderit autoritar që qeverisi vendin me 84 milionë banorë për 32 vjet.

Këshilli Suprem i dorëzoi pushtetin në vitin 2012 fituesit të zgjedhjeve të para të lira në dekada, Mohamed Morsit të Vëllazërisë Muslimane, por pas vetëm një viti pushtet, në Korrik 2013, ushtria ndërhyri për të larguar përsëri nga pushteti kreun e vendit dhe për të rimarrë në dorë kontrollin e pushtetit.

Dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të trazuara për Egjiptin, ndërsa në rrëzimin e Mubarak dhe Morsit, disa mijëra egjiptianë kanë gjetur gjithashtu vdekjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA