Shkatërrimi i arsenalit kimik sirian

18/11/2013 00:00

Këshilli i përbashkët 2-ditor i Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së diskuton midis të tjerash edhe për shkatërrimin e produkteve kimike në Siri.

I pyetur para takimit mbi këtë çështje pas refuzimit të së premtes nga Shqipëria, numri 2 i qeverisë belge u shpreh:

“Ne jemi të hapur për të dërguar disa ekspertë për transportimin e disa produkteve kimike atje sepse nuk flitet për armë kimike. Ne i kemi shkatërruar armët kimike në Siri dhe tani bëhet fjalë për disa produkte kimike që shërbejnë për përgatitjen e armëve kimike e që ne nuk i kemi neutralizuar ende ato. Por jemi të gatshëm të diskutojmë se çfarë lloj përvoje mund të dërgojmë atje e ndoshta edhe për se ku mund të organizohet shkatërrimi i tyre”, tha Didier Reynders, Zv.Kryeministër i Belgjikës.
 
Kësaj deklarate i parapriu ajo e Ministrit të Mbrojtjes, Pieter De Crem i cili rrëfeu se pavarësisht ekspertizës belge në këtë fushë do të ishte më e sigurtë nëse shkatërrimi i materialeve kimike kryhej në afërsi të Sirisë për shkak të rrezikshmërisë që paraqet transportimi i tyre.

Në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm bëhet thirrje për shkatërrimin pa pengesa e përsëritet se BE është kontribuesi më i madh financiar në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike dhe mbështet punën e kësaj organizate në Siri me automjete të blinduara dhe pamje satelitore.

Të martën, Këshilli i përbashkët do të njihet me raportin e Agjencisë Europiane të Mrojtjes dhe më pas takimit do t’i bashkohet dhe Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Rassmussen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB