Hollivudi nderon Angelina Jolie

18/11/2013 00:00

Hollivudi nderoi aktoren e famshme Angelina Jolie me një çmim për punën bamirëse që ajo ka bërë në bashkëpunim me Agjensinë e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara gjatë dekadës së fundit.

Jolie ka ndihmuar refugjatë kamboxhianë dhe sirianë duke zhvilluar plot 40 misione terreni.

“I falenderoj anëtarët e Akademisë për vlerësimin, falenderoj miqtë që janë të pranishëm këtu dhe sidomos familjen time”, tha aktorja e cila ishte e shoqëruar në këtë event nga partneri Brad Pitt dhe djali 12-vjeçar Maddox.

“Mbështetja e familjes ka bërë të mundur që unë të bëja ato që kam bërë. Nuk do të qaj sepse nuk dua të vë në siklet djalin që është i pranishëm në sallë. Nuk ka nder më të madh në Botë sesa të jem nëna jote, Mad.”

Jolie falenderoi edhe nënën e saj për frymëzimin që i ka dhënë: “Më ka mbështetur në çdo gjë që kam bërë dhe më ka dhënë mundësinë të bëhesha aktore. Jam këtu sot dhe kjo do të thotë që kam bërë atë që ajo ka dashur. Do të ndihej krenare me mua.”

Top Channel