Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
50 persona mbetën të vrarë ditën e dielë në një aksident ajror të ndodhur pranë qytetit rus të Kazanit, ndërsa hetimet e para fajësojnë pilotët ose ndonjë avari të mundshme për fatkeqësinë.
Ministri rus i Transporteve deklaroi gjatë të hënës se avioni në fazë ulje humbi kuotë në mënyrë vertikale, duke u përplasur dhunshëm në tokë brenda disa sekondave.
Hetuesit kanë arritur të gjejnë të dy kutitë e zeza, të cilat fshehin të dhënat e fluturimit dhe regjimistrin vokal të bisedave të pilotëve në 30 minutat e fundit të udhëtimit fatkeq.
Dyshohet se pilotët u shpërqendruan nga kushtet e vështira atmosferike, duke lënë shpejtësinë e avionit që të binte deri në një nivel, sa që mjeti nuk mund t’i rezistonte më forcës tërheqëse të gravitetit.
Në këtë fazë të hetimeve, një avari e mundshme teknike gjithashtu nuk mund të përjashtohet, ndërsa terrorizmi është eliminuar si arsye e dyshuar prej autoriteteve.
“Boeing”-u i “Tatarstan Airlines” kishte 44 udhëtarë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord. Asnjëri prej tyre nuk mundi të mbijetonte pasi menjëherë pas impaktit, avioni shpërtheu në flakë dhe u nda në disa pjesë.
Aktualisht, po punohet për të rikuperuar trupat e shpërndarë në një zonë të madhe nga forca e impaktit, ndërsa në disa prej tyre do të jetë e nevojshme që të realizohen analizat gjenetike, për të përcaktuar identitetin e shumë kufomave të dëmtuara përtej njohjes.
Top Channel