Trajneri i kombëtares franceze, Didier Deschamps, vazhdon të besojë tek mundësia që kampionët e botës të vitit 1998 të jenë të pranishëm në Brazil 2014, pavarësisht humbjes së rëndë, 2-0 në ndeshjen e parë të plejofit të luajtur në Ukrainë.
“Kemi nevojë për një ndeshje me përkushtim maksimal, me sakrificat më të mëdha që mund të bëjmë nga minuta e parë në të fundit. Kemi marrë një grusht të fortë ditën e premte, por nuk jemi ende në tapet. Mund ende të rikuperojmë. Pak rëndësi ka se sa shanse na kanë mbetur, pak apo shumë, e rëndësishme është të zhvillojmë ndeshjen perfekte dhe më pas të shohim nëse ajo do të mjaftojë”, deklaroi përpara takimeve plejfof të së martës, trajneri Deschamps.
I pyetur për problemet e brendshme që ka pasur së fundmi brenda “gjelave”, Deschamps u mjaftua të shprehte një mesazh aspak të qartë: “Cilësia teknike është ajo që bën zakonisht diferencën, por në mënyrë që të dal në pah, nevojitet që i gjithë grupi të luajë i bashkuar”.
Përsa i përket ndeshjes së kthimit, Deschamps tregoi se çfarë do t’i kërkojë futbollistëve të tij. “Duhet të mos i lëmë në asnjë moment pushim, të ushtrojmë një presing të vazhdueshëm, të kërkojmë topat pas shpinës së mbrojtjes, veprimet me shpejtësi. Do të duhet t’i detyrojmë ukrainasit që të gabojnë dhe për këtë do të nevojitet që e gjithë skuadra të jetë në 100%. Mbi të gjitha, duhet që lojtarët të besojnë dhe i pari që besoj në këtë situatë jam unë”.
Top Channel