Të paktën 31 ushtarë, mes tyre edhe 4 oficerë, raportohen të vdekur pas një sulmi të fuqishëm me bomba, që ka pasur për objektiv ndërtesën qeveritare në periferi të Damask, ka bërë të ditur grupi monitorues.
Observatori Sirian i Të drejtave të Njeriut, me bazë në Londër, tha se shpërthimi i natës së ditës së diel ndodhi në Harasta, periferi në veri-lindje të kryeqytetin sirian.
“4 gjeneralë dhe 1 gjeneral brigade ishin mes 31 trupave të vrarë në sulmin me bomba, që shkaktoi rrëzimin e një ndërtese, në bazën e transportit të ushtrisë në Harasta”, tha Rami Abdel Rahman, drejtor i grupit monitorues.
Koha e sulmit është domethënëse, pasi vjen pas një tjetër sulmi madhor të regjimit ndaj pozicioneve të rebelëve në të gjithë periferitë e Damaskut, tha Abdel Rahman për agjencinë e lajmeve AFP.
Bomba duket se është vendosur “ose brenda, ose nën ndërtesë, pra në një tunel”, shtoi ai, duke sugjeruar se ka mundësi që ndonjë rebel të jetë infiltruar në bazën e ushtrisë.
Observatori sirian shtoi se nuk është e qartë se ç’lloj bombe është përdorur, por thjesht konfirmoi se nga fuqia e shpërthimit, ndërtesa u shkrumbua tërësisht në tokë. Ende nuk ka konfirmime nga media qeveritare, apo zyrtarë të Sirisë.
Top Channel