Një avion pasagjerësh është përplasur në një aeroport të qytetit të Kazanit, në Rusi, duke shkaktuar vdekjen e 50 personave.
Lajmi është konfirmuar nga ministri rus i Emergjencave, duke saktësuar se asnjë nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit.
“Boeing 737” ishte nisur nga Moska me destinacion Kazanin, por pas përplasjes, që ka ndodhur në momentin e uljes, aeroplani ka shpërthyer. Në bord gjendeshin 44 pasagjerë dhe 6 anëtarë ekuipazhi.
Avioni i përkiste kompanisë lokale “Tatarstan Airline”, ndërkohë që Kazan është kryeqyteti i Republikës Ruse të Tatarstanit.
Për momentin, nuk ka të dhëna mbi arsyet e përplasjes, por dëshmitarët okularë rrëfyen se piloti kishte tentuar dy herë të ulej në pistë dhe, në përpjekjen e tretë, avioni u rrëzua.
Sipas korrespondentëve të huaj, edhe pse linjat e mëdha ajrore në vend tani kanë përgjithësisht një reputacion të mirë, përplasjet e vazhdueshme të mjeteve në pronësinë e operatorëve më të vegjël e bëjnë Rusinë njërin prej shteteve me sigurinë më të ulët ajrore në botë.
Top Channel